Abstract |
Kompanitë e telekomunikacionit në Shqipëri mbeten reklamuesit më të mëdhenj në median shqiptare. Ky realitet në më se 15 vjet ka ndikuar në mënyrën se si media i sheh këto kompani dhe si përçon mesazhet e tyre te publiku. Mendohet se ato kanë ndikuar në ndërtimin e një “paprekshmërie” nga ana e medias, duke qenë kontributorë me buxhete, aq të nevojshme për mbijetesën financiare të televizioneve, gazetave dhe portaleve. Të mbështetur nga agjenci të fuqishme të marketingut dhe Marrëdhënieve Publike vendore apo ndërkombëtare si dhe me strukturat e tyre organizative të konsoliduara, këto kompani kanë ndryshuar mënyrën se si ndërtohen lajmet ekonomike, duke i përafruar ato me gjuhën e reklamës. Këtu ka ndikim fakti që shumica e këtyre departamenteve të MP varen nga drejtoritë apo grupet e marketingut. Përmbjatje reklamuese, shfaqen rëndom në edicione lajmesh të pashoqëruara me njoftimin se ato janë njoftime të MP apo të marketingut. Përmes këtij punimi synohet të analizohen disa prej këtyre lajmeve, dhe mënyra se si janë ndërtuar pikë së pari nga vetë zyrat e MP dhe transmetuar/publikuar në media. Këto lajme janë një produkt i drejtpërdrejtë i zyrave të MP pranë kompanive ndërsa media përdoret vetëm si një kanal komunikimi me publikun. Pra, media nuk ushtron asnjë lloj filtri apo politike redaksionale mbi këto përmbajtje informative. |