Abstract |
Mesazhi baritor është një formë e pastër e komunikimit publik në institucionet fetare, si komunikim special që këto institucione klerikale reagojnë ndaj situatave të caktuara, festave, qëndrimeve apo ngjarjeve në shoqërinë shqiptare. Mesazhi i përmuajshëm, i përtremuajshëm apo specifik për situata e ndryshme, përbën një mesazh specifik në komunikimin me besimtarët nga ana e institucioneve fetare në Shqipëri. Mesazhi baritor është mbi të gjitha një thirrje për reflektim drejtuar besimtarëve, një qëndrim publik i mbajtur prej institucioneve fetare, një perspektivë e re në marrëdhëniet mes shoqërisë dhe institucioneve fetare, është një komunikim sqarues dhe mbi të gjitha është një komunikim shumë specifik ndërmjet fesë, besimtarëve dhe krejt shoqërisë. Në këtë punim do të mësojmë mjetet dhe organizimin e marrëdhënieve me publikun në institucionet fetare, pikërisht në Kishën Katolike, Kishën Ortodokse dhe Komunitetin Mysliman Shqiptar përgjatë vitit 2016-të. Do të merren në shqyrtim komunikimet publike si formë e mesazhit baritor që këto institucione fetare ua drejtojnë publikut fetar dhe mbarë shoqërisë në varësi të ngjarjeve apo festave të ndryshme fetare. Artikujt dhe reagimet e këtyre institucioneve do të qëmtohen imtësishëm në lidhje me natyrën e mesazhit baritor, duke parë kontekstin, duke parë artikuluesin dhe mbi të gjitha duke u fokusuar te situatat e caktuara që kanë shkaktuar sjelljen e këtij reagimi publik të institucioneve fetare. Gjithashtu do të shihet sesi funksionon dhe çfarë ndryshimi ka “mesazhi baritor” nga komunikimi i zakonshëm publik i institucioneve fetare. |