Abstract |
Në punimin e zgjeruar përqëndrohemi te fjala e autorit, Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko) titulluar “Parafjalë ose bisedime me katër fëmijët e mi dhe me vetveten rreth këtij libërthi”. Qëllimisht përqëndrohemi te kjo parathënie që ka vlerën e një studimi shkencor edhe me përmasa eseistike. Është me rëndësi të veçantë se kjo punë e Kutelit nuk ka qenë e botuar deri tash në asnjë nga veprat e M. Kutelit. Autorja Atalanta Pasko (e bija e autorit) këtë çështje e sqaron në fusnotën përkatëse: “Botohet sipas daktiloshkrimit”, për çka flitet në punimin e zgjeruar. Për studiuesit dhe adhudiuesit që janë marrë e mirren me Mitrush Kutelin, ky shkrim mjaft vëllimor, shërben për plotësimin e dijes rreth Mitrush Kutelit. Në punimin tim bëhet fjalë për aspekte të ndryshme, me një theksim të veçantë në atë pedagogjik, eseistik, folklorik, historik etj., ku Kuteli zbërthen të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen duke shpjeguar kohën si në diakroni ashtu edhe në sinkroni. Në këtë parafjalë Kuteli shfaq vlerat, prandaj konsiderohet një traktat i vërtetë studimor për çka flasim në punimin tonë. Përveç vlerave të tjera të theksuara në punim, është edhe përshtatja në gjuhë letrare me sintaksë, leksik, stil që i paraprin gjuhës standarde të vitit 1972, pra Kongresit të Drejtshkrimit. Kështu, letrarishtja e tij është vazhdim i denjë i letrarishtes dhe stilit të F. Konicës, E. Çabejit, F. Nolit etj. |