Abstract |
Studimi i dialekteve të gjuhës shqipe, ndarja dhe klasifikimi bashkëkohor i tyre, marrëdhëniet me rrethin gjeografik e shoqëroro-historik të zhvillimit të shqipes shënojnë edhe objektin kryesor të hartimit të monografisë “Gjuha shqipe dhe dialektet e saj” nga albanologia ruse, Agnia Desnickaja. Ndër të tjera, ajo sjell një pasqyrë analitike të veçorive dialektore në të folmet e tipit kalimtar, të cilat formojnë një brez krahinash, që shtrihet në jug të rrjedhës së lumit Shkumbin (shënues i kufirit ndërmjet krahinave dialektore gege dhe toske) e që njihet si Zona e të folmeve kalimtare. Veçoritë dalluese, elementet tipike dialektore, gërshetimi i tyre në këto të folme tranzitore janë analizuar e klasifikuar nga autorja duke u bazuar dhe duke vlerësuar hulumtimet e dialektologëve shqiptarë, si: J.Gjinari, Q.Haxhihasani, M.Çeliku, por gjithnjë të argumentuara bindshëm nga vetë ajo. Hulumtimi i kujdesshëm e i thelluar i këtyre të folmeve nga ana e Desnickajës i ka shërbyer jo vetëm evidentimit të tipareve karakteristike gege a toske të lokalizuara në këto zona, por edhe studimit të dukurive më të ndërlikuara që lidhen me formimin e tyre e që reflektojnë zhvillimet historike, kulturore e shoqërore, vendimtare për vetë dialektet e shqipes. |