Abstract |
Në këtë artikull trajtohet ndërlidhja e aktiviteteve për zhvillimin e shkathtësisë gjuhësore të të dëgjuarit dhe të nxënit autentik në lëndën e gjuhës angleze. Për hartimin e këtij artikulli është studiuar literatura përkatëse ndërkombëtare dhe janë përdorur disa rezultate të një vëzhgimi të orëve të gjuhës angleze dhe të gjuhës shqipe në 30 shkolla të Kosovës, si dhe rezultatet e një pyetësori të administruar me 229 mësimdhënës kosovarë të gjuhës angleze. Në fund, janë marrë në konsideratë edhe praktikat e mira ndërkombëtare të vëzhguara gjatë vizitave të organizuara në pesë shkolla amerikane gjatë dimrit të vitit 2015. Qëllimi i artikullit është që, duke u bazuar në gjetjet e hulumtimit sasior dhe cilësor në rreth 30 shkolla shqipe, të identifikohen dhe sugjerohen aktivitete mësimore në klasë, që do të ndihmonin në përmirësimin e zhvillimit të shkathtësisë së të dëgjuarit të nxënësve kosovarë në lëndën e gjuhës angleze. Këto sugjerime mund të gjeneralizohen dhe të shërbejnë edhe për mësimdhënësit e lëndës së gjuhës shqipe. Në një qasje të mësimit të integruar që po aplikohet tash së voni në Kosovë, strategjitë e sugjeruara në këtë artikull mund të shërbejnë për lëndët e fushës kurrikulare të gjuhëve dhe komunikimit. |