Abstract |
Lokucionet janë njësitë gjuhësore më pak të studiuara në gjuhësinë shqiptare dhe në atë të huaj. Në këtë shkrim do të bëhen objekt studimi lokucionet numërore, për të cilat është folur shumë pak. Trajtimi i tyre do të bëhet me metodën e analizës së fakteve gjuhësore, nxjerrë nga materiali i grumbulluar për këtë qëllim. Analiza do të bëhet në planin strukturor, pasi në planin semantik ato përbëjnë një grup të vetëm. Lokucionet numërore kanë strukturë të përbërë vetëm nga fjalë kuptimplota ose nga fjalë kuptimplota dhe nga fjalë jokuptimplota. Lokucionet dyfjalëshe përbëhen nga një numëror dhe njëra nga fjalët mijë, million, miliard etj. ose nga një emër i prejardhur nga një mbiemër prejnumëror. Lokucionet e formuara nga më shumë se dy fjalë përbëhen nga tri fjalë kuptimplota (dy numërorë dhe emri presje ose pikë) ose nga fjalë kuptimplota dhe nga fjalë jokuptimplota. Lidhja e elementeve të tyre është me bashkërenditje, me nënrenditje ose e përzier. Pavarësisht nga numri dhe nga forma morfologjike e elementeve, e gjithë struktura funksionon si një njësi e vetme dhe ka një kuptim tërësor, tregon sasi të caktuar frymorësh, sendesh etj. Lokucionet numërore janë më të shumta se numërorët dhe struktura e tyre është shumë e larmishme. Ato nuk i zëvendësojnë numërorët dhe nuk zëvendësohen prej tyre, prandaj janë të domosdoshme gjatë ligjërimit. Ky studim do t’i shërbejë dallimit të këtyre njësive në gjuhën shqipe dhe në gjuhët e tjera që i njohin lokucionet si njësi të veçanta gjuhësore. |