Abstract |
Lajmet e Radiotelevizionit të Kosovës shndërrohen në platformë të promovimit të projekteve zgjedhore, edhe para shpalljes së zgjedhjeve dhe fillimit zyrtar të fushatave elektorale. Në periudhat e parafushatave, RTK-ja shfrytëzon zbrazëtirën ligjore, për të zgjeruar hapësirën e prezantimit të aktiviteteve të lidershipit politik në lajme, pavarësisht se me këtë shkel standardet profesionale dhe përgjegjësitë e transmetuesit publik ndaj audiencës. Promovimi i aktiviteteve zgjedhore bëhet duke zënë hapësirën qendrore të lajmeve, të paraparë për raportimin mbi çështjet me interes shoqëror. Komunikuesit politikë shfrytëzojnë strukturën e lajmeve të RTK-së, të ngritur mbi modelin e pseudo ngjarjes, për të promovuar programet zgjedhore. Lajmet e RTK-së i shërbejnë politikës si kanal për të përcjellë tek audienca aktivitetet zgjedhore të paredaktuara dhe të patrajtuara në përputhje me standardet e mediumit publik. Me këtë qasje, politika editoriale e RTK-së e dëmton cilësinë përmbajtjesore të lajmeve dhe raportin e saj me audiencën, të cilës nuk i ofron informacion në formë dijeje për realitetin politik. |